Kisha e manastirit të Shën Mërisë në Spile mbi fshatin Saraqinisht,
rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, vazhdon të ruajë të
njëjtat vlera arkitektonike ashtu si mbi 3 shekuj më parë. Mbishkrimi
mbi portën kryesore të kishës (naosit) tregon se ky objekt kulti daton
në vitin 1634. Naosi i gdhendur në formë kryqi me kupolë me përmasa të
brendshme 7.40×6.20 m është pikturuar nga piktor Mihali në kohën e
peshkopit, zotit Kalist. prof. as. Gëzim Sala, rektor i universitetit
“Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, thotë se objekti fetar më i vjetër në
rajonin jugor është Kisha dhe Manastiri i Shën Mërisë në Spile, rreth 2
kilometra në lindje të qytetit antik të Antigonesë. Manastiri ngrihet
mbi një shkëmb konglomerat gëlqeror për shkak të shpellave karstike ku
kanë banuar eremitët, njerëz që qëndronin të izoluar nga bota, të cilët
përpiqeshin të vuanin qenien e tyre mëkatare, si një vepër shlyerje para
Perëndisë.